Një zemër që ka shqetësime të rënda është e aftë të plakë para kohe të gjithë sistemin kardiovaskular. Kush vuan nga shqetësime të rënda të zemrës, mund të arrijë të ketë enë gjaku 40 vjet më të plakura sesa mosha reale e tij.
Kjo do të thotë që p.sh. një burrë 50-vjeçar me by-pass ose që ka pësuar një transplant kardiak ka arterie të ngjashme me ato të një 90-vjeçari. Lajmi, i cili në thelb është i trishtueshëm
vjen nga një studim i drejtuar nga “British Heart Foundation” pranë Universitetit të Kembrixhit.
Ekspertët anglezë kanë dashur të studiojnë procesin e plakjes së zemrës dhe të arterieve për të kontribuuar në krijimin e metodave të parandalimit të infarkteve. Duke vëzhguar për një kohë të gjatë qelizat e enëve të sëmura ata kanë mundur të identifikojnë një vlerë biologjike të plakjes së AND-së. Bëhet fjalë për një dëm që është shkaktuar në telomer, pjesa e jashtme e kromozomit.
Në pacientët me sëmundje të rënda qelizat e arterieve dyfishohen 7-13 herë më shpejt sesa ato normalet, duke shkaktuar plakjen e mureve të enëve të gjakut.
Qelizat e enëve më të moshuara nuk janë në gjendje të riparojnë dëmet që mund t’u shkaktohen atyre siç bëjnë enët e reja, duke u bërë viktima të të depozitave të yndyrave dhe më të predispozuara për goditje në zemër.
“Kush gjendet në stadin e parë të një sëmundjeje kardiake, shpjegon Martin Bennett, në krye të këtij studimi, mund të ketë arterie më të plakura me 5-15 vjet në krahasim me moshën e tij biologjike. Dhe është ende në kohë të lerë duhanin, të ushqehet në kriteret e duhura dhe të marrë statina për të ulur nivelin e kolesterolit në gjak. Të gjitha këto do ta ndihmojnë të frenojë disi plakjen e enëve të gjakut të tij”.