Ju mund të jeni të shqetësuar se do të shtoni në peshë kur të ndaloni së piri duhan? Ka disa hapa të cilat mund t’ju ndihmojnë për ta penguar këtë.
Pse shtohet në peshë kur lihet duhani?
E para që duhet të bëni është të mos lejoni që fakti se mund të shtoni në peshë t’ju pengojë të lini duhanin. Jo çdokush shton peshë dhe, edhe nëse ju shtoni disa kilogramë, ka disa strategji që ndihmojnë ta kontrolloni atë. Këtu përfshihen:
Bëni më shumë stërvitje fizike;
Përdorni trajtime për të ndaluar pirjen e duhanit;
Shtyjeni dietën derisa përfundimisht të keni hequr dorë nga duhani.
Sipas Deborah Lycett, një dietologe dhe studiuese nga Universiteti i Birminghamit, njerëzit shtojnë në peshë rreth 5 kilogramë në vit pasi ndalojnë së piri duhan.
Por ajo porosit njerëzit të cilët duan ta lënë duhanin, të mos lejojnë që mundësia e shtimit në peshë t’i frenojë. Ajo thekson se dobitë e lënies së duhanit janë më të mëdha se anët negative të cilat mund të vijnë nga shtimi në peshë. Edhe pse ju mund të shtoni disa kilogramë, ju keni lënë duhanin dhe keni bërë një hap të madh drejt një jete të shëndetshme.
“Është natyrale të shqetësohesh për shtimin në peshë, por rreziqet e shëndetit nga shtimi në peshë janë shumë më të pakta se sa vazhdimi i të pirit duhan. Prioriteti është të hiqni dorë nga duhani dhe jo të shqetësoheni për shtimin në peshë. Ju mund ta eleminoni peshën e shtuar më vonë” , thotë Deborah.
Cilët duhanpirës kanë më shumë mundësi të shtojnë në peshë?
Disa njerëz janë më të prirë të shtojnë në peshë se të tjerët, kur ata e lënë duhanin. Ju jeni më të rrezikuar për të shtuar në peshë nëse:
Tashmë jeni të mbipeshë
Jeni pirës i madh i alkoolit (ose nëse nuk pini alkool aspak)
Jeni një duhanpirës i madh.
Rekomandohen këto hapa për të shmangur shtimin në peshë pas lënies së duhanit:
Stërvituni për të mposhtur shtimin në peshë
Ushtrimet e rregullta fizike mund të parandalojnë rreth gjysmën e shtimit të peshës së pritur pas një viti të heqjes dorë nga duhani. Ato djegin kaloritë dhe reduktojnë dëshirën për duhan. Bëni deri në 150 minuta në javë stërvitje të lehtë aerobike, si ecje të shpejtë, notim ose biçikletë. Aktivitet me intensitet mesatar do të thotë se ju do të mundoheni mjaftueshëm për ta bërë frymëmarrjen më të shpeshtë se zakonisht dhe duke u ndjerë më nxehtë se zakonisht. Sa më shumë stërvitje që bëni, aq më shumë kalori do të digjni.
Përdorni terapi për ndalimin e duhanit
Barnat të cilat ndihmojnë në lënien e duhanit, siç është terapia zëvendësuese e nikotinës dhe barnat e përshkruara (si bupropion apo varenicline) mund të dyfishojnë shanset tuaja për të hequr dorë nga duhani me sukses dhe po ashtu ndihmojnë të reduktoni shtimin në peshë në muajt e parë.
Mos mbani dietë derisa jeni në proces të lënies së duhanit
Studimet tregojnë se është më mirë të përfundoni me lënien e duhanit fillimisht, para se të filloni të humbni peshën e shtuar gjatë lënies së duhanit. Nëse vërtet jeni të shqetësuar për shtimin në peshë, kërkoni nga mjeku t’ju referojë te ndonjë dietolog për një plan diete të përshtatur për nevojat tuaja. Ky plan do t’ju tregojë juve se sa shumë duhet të hani, bazuar në peshën aktuale, moshën, gjininë dhe nivelin e aktivitetit dhe të ndaloni së shtuari më shumë në peshë.
Përfundim:
Për të minimizuar shtimin e peshës kur hiqni dorë nga duhani, ndiqni këto këshilla:
1.Bëni më shumë ushtrime
2.Përdorni trajtime për ndalimin e duhanpirjes
3.Shmangni mbajtjen e dietave derisa me sukses të hiqni dorë nga duhani.