Kohët e fundit jemi dëshmitarë të një numri të madh studimesh, të cilat përpiqen të zbulojnë faktorët që rritin rrezikun për mbipeshë. Kjo gjendje shumëfaktorëshe manifestohet edhe te fëmijët edhe te të rriturit, ndërsa është e lidhur me gjendjet inflamatore në organizëm që më vonë mund të sjellin deri te zhvillimi i sëmundjeve kronike. Studimet e deritanishme konfirmojnë se niveli i lartë i kripës në organizëm më së shpeshti është pasojë e sasisë së madhe të konsumimit të ushqimit, ndërsa me ushqimin e tepruar krijojmë shtresa të indit dhjamor në organizëm. Po ashtu, mbipeshën e sjell edhe aftësia e kripës për ta tërhequr ujin dhe në këtë mënyrë e mban në organizëm. Një studim i ri, i zhvilluar te adoleshentët, ka treguar se mbi 95 për qind e të rinjve marrin sasi të tepruara të kripës me ushqim dhe në këtë mënyrë rrezikojnë mbipeshën. Pjesëmarrësit në studim kanë pasur edhe nivel të lartë të leptinës – hormonit që rregullon oreksin, mirëpo nëse niveli i tij është vazhdimisht i lartë, atëherë ky hormon mund ta humbë funksionin e vet në organizëm dhe njerëzit mund të vazhdojnë të hanë edhe kur nuk janë të uritur. Autorët e studimit kanë thënë se te participantët ishte i rritur rreziku për zhvillimin e proceseve inflamatore dhe sëmundjeve autoimune. Ekspertët këshillojnë që ushqimi i kripur dhe ushqimi i shpejtë (‘fast food’) të zëvendësohet me pemë dhe perime, në mënyrë që të zvogëlohet hyrja e kripës në organizëm dhe të përmirësohet statusi shëndetësor. Mjeku.Net
↧
Ushqimi i pasur me kripë dhe mbipesha
↧