Quantcast
Channel: GAZETA REPUBLIKA » Shëndet
Viewing all articles
Browse latest Browse all 719

Shtatë testet që mund t’ua shpëtojnë jetën

$
0
0

TESTETNe të gjithë shqetësohemi për shëndetin derisa plakemi. Por duke iu nënshtruar disa kontrolleve rutinë, të cilat të marrin vetëm disa minuta, ju mund të gjeni çdo problem në fazat e hershme të tij kur ato është më lehtë të trajtohen. Në vazhdim do t’ju prezantojmë shtatë analiza të cilat ju këshillojmë t’i bëni, sa shpesh duhet t’i bëni dhe pse janë të rëndësishme ato.

1. Skreningu për kancer të zorrëve

Skreningu për kancer të zorrëve nuk e diagnostikon kancerin, por mund të gjejë probleme të rëndësishme edhe kur njerëzit nuk kanë simptoma.

Si bëhet ky test?

Kjo analizë, e quajtur Testi i Gjakut të Padukshëm Fekal, kërkon nga pacienti të mbledhë mostra të jashtëqitjes, të cilat më pas do t’i dërgojë për analiza në laborator.

Pse është i rëndësishëm?

Kanceri i zorrëve është një prej kancereve më të shpeshta, dhe në shumë vende i treti, pas atij të gjirit dhe të mushkërive. Edhe pse ai mund të zhvillohet te të rinjtë, tetë nga 10 njerëz të prekur nga ky lloj i kancerit janë të moshës mbi 60 vjeçare, dhe meshkujt janë më të rrezikuar se femrat.

Sa shpesh duhet të kontrolloni?

Kjo analizë preferohet të bëhet çdo dy vite për të gjithë meshkujt dhe femrat e moshës 60 deri në 69 vjeç.

Çfarë ndodh më pas?

Testi kërkon shenja të gjakut; nëse ka ndonjë shenjë, pacientit do t’i kërkohet ta përsërisë testin sërish. Kjo nuk do të thotë se pacienti ka kancer të zorrëve, por ju mund të duhet të bëni një test tjetër të quajtur kolonoskopi, për të përjashtuar këtë mundësi, ose për të gjetur problemin që e shkakton gjakun në jashtëqitje. Zakonisht rreth 2 për qind e njerëzve dalin pozitiv në këtë analizë dhe duhet të bëjnë teste të tjera shëndetësore.

2. Skreningu cervikal

Testi i skreningut cervikal është një metodë për të parandaluar kancerin duke zbuluar abnormalitetet të cilat, nëse mbeten të patrajtuara, mund të çojnë te kanceri i cerviksit (qafës së mitrës) të femrat

Si bëhet?

Mjeku ose infermierja fut një instrument të quajtur spekulum për të hapur vagjinën e femrës dhe përdor shpatull duke e lëvizur rreth cerviksit. Shumica e femrave thonë se nuk është e dhimbshme, vetëm se është ca e parehatshme.

Pse është i rëndësishëm testi?

Kanceri cervikal nuk është në mesin e kancereve më të shpeshta, por nëse lihet pa trajtuar ai mund të metastazojë dhe të prekë organet tjera. Kanceri cervikal përfshin 2 për qind të femrave me kancer. Detektimi dhe trajtimi i hershëm mund ta parandalojë zhvillimin e kancerit deri në 75 për qind.

Sa shpesh duhet të kontrollohemi?

Të gjitha femrat e moshës 25 deri në 64 vjeçare preferohet të bëjnë skreningun cervikal çdo tre deri në pesë vite. Femrat mbi 65 vjeç zakonisht nuk këshillohen ta bëjnë skreningun, vetëm nëse kanë rezultate anormale në testet tjera ose nëse mjeku i këshillon.

Çfarë ndodh më pas?

Nëse analizat e testeve dalin anormale, që ndodh 1 në 10 gra, mjeku do t’ju këshillojë teste tjera dhe trajtime shtesë. Është shumë e rrallë që kanceri cervikal të mund të diagnostikohet si rezultat i ndonjë njolle, dhe shumë abnormalitete zhduken vetë ose trajtohen në klinika pa pasur nevojë për shtrim në spital.

3. Testi i kolesterolit

Kolesteroli është një lloj i yndyrës e cila mblidhet në organizëm në gjak. Nivelet e larta të kolesterolit mund të mblidhen në arterie dhe shtojnë rrezikun e sulmeve në zemër ose goditjes në tru.

Si bëhet testi?

Niveli i kolesterolit në gjak zakonisht matet përmes analizës së thjeshtë pasi juve t’ju merret gjaku në laborator.

Pse është i rëndësishëm testi?

Niveli i lartë i kolesterolit nuk shkakton ndonjë simptomë, andaj ju mund ta keni atë pa e ditur. E vetmja mënyrë për ta zbuluar është ta bëni testin.

Sa shpesh duhet të kontrollohemi?

Në varësi të rezultateve, mjeku juaj i përgjithshëm do t’ju këshillojë të bëni edhe teste të tjera, por ia vlen ta bëni atë çdo vit.

Çfarë ndodh më pas?

Nëse keni nivele të larta të kolesterolit ju mund ta ulni atë duke bërë ndryshime në dietën tuaj, duke ruajtur peshën e shëndetshme dhe duke bërë ushtrime të rregullta. Nëse tashmë vuani nga sëmundja e zemrës ose jeni në rrezik për ta zhvilluar atë, mjeku juaj mund t’ju përshkruajë edhe barna për uljen e kolesterolit, siç janë statinat (atorvastatina, simvastatina, rosuvastatin).

4. Kontrolli i presionit të gjakut

Presioni i gjakut është forca me të cilën gjaku godet në muret e arterieve tuaja. Presioni i lartë i gjakut mund ta dobësojë zemrën tuaj dhe t’i dëmtojë muret e arteries, duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës, goditje në tru ose sëmundje të veshkave.

Si bëhet?

Mjeku juaj ose infermierja, ose këtë mund ta bëni edhe vetë ju ose dikush i afërm, do të futë një manshetë në pjesën e sipërme të krahut tuaj (mbi bërryl) dhe do ta fryjë atë derisa ajo të bëhet e ngushtë. Pastaj ajri lëshohet nga mansheta dhe mjeku ose personi që e mat e lexon presionin e gjakut në një akrep lëvizës. Ky test është i shpejtë dhe i padhembshëm dhe realizohet brenda një minute. Sot ekzistojnë edhe aparate automatike të matjes së gjakut.

Pse është i rëndësishëm?

Mendohet se rreth gjysma e njerëzve të moshuar mbi 65 vjeçare kanë presion të lartë të gjakut, por shumica nuk e kuptojnë derisa nuk kanë simptoma.

Sa shpesh duhet të matet presioni i gjakut?

Për personat e shëndetshëm presioni i gjakut duhet të matet së paku një herë në vit, ndërsa për ata që kanë probleme me hipertensionin ose probleme të tjera të lidhura me zemrën dhe qarkullimin ai madje preferohet të matet së paku një herë në ditë.

Çfarë do të ndodhë më pas?

Nëse rezultatet janë jashtë suazave të normales, ju do të duhet ta kontrolloni atë edhe më shumë. Nëse presioni juaj i gjakut kuptohet se është vazhdimisht i lartë, mjeku do t’ju këshillojë si ta ulni atë. Trajtimi mund të përfshijë ndryshime të mënyrës së të jetuarit, dhe nëse këto nuk janë të suksesshme ose nëse presioni i gjakut është shumë i lartë, ju me gjasa do të duhet të pini barna të përshkruara.

5. Mamogrami

Skreningu i gjirit është një mënyrë për të zbuluar kancerin e gjirit në fazat e hershme të saj. Ai përfshin një skanim me rreze X në secilin gji, të quajtur mamogram.

Si bëhet ky test?

Secili gji vendoset në aparat që lëshon rreze-X dhe butësisht shtypet me një pjesë të mekanizmit. Kjo shtypje zgjat vetëm disa sekonda, por disa femra mund ta ndjejnë të parehatshme.

Pse është i rëndësishëm testi?

Mamogrami mund ta detektojë kancerin para se ju të vëreni shenja të dukshme. Kërkimet tregojnë se rreth një e treta e kancereve tash diagnostikohet prej skreningut.

Sa shpesh duhet të kontrolloheni?

Sa më herët ta bëni këtë test, aq më mirë. Por nëse nuk keni shenja të dyshimta të cilat mund t’u shtynë të bëni mamogramin, ai këshillohet të bëhet patjetër pas moshës 50 vjeçare. Pas kësaj moshe testi këshillohet të bëhet çdo tre vjet deri në ditëlindjen e 70-të.

Çfarë ndodh më pas?

Rezultatet e testit mund të lexohen edhe nga mjeku i përgjithshëm. Femrat të cilat marrin rezultate anormale mund të kërkohet të bëjnë edhe teste të tjera. Një ultrazë ose test shpimi me gjilpërë mund të jetë i nevojshëm për te parë shkallën e qelizave anormale.

6. Kontrolli i syve

Një test i syve nuk tregon vetën nëse ju keni nevojë për syza, ai mund po ashtu të zbulojë shenja të hershme të disa çrregullimeve, para se ju të ndjeni ndonjë simptomë.

Si bëhet testi?

Mjek optometër ose oftalmolog do të kontrollojë sytë tuaj dhe zonën rreth tyre për të kontrolluar abnormalitete ose shenja të ndonjë lëndimi ose sëmundje. Ata do ta ndriçojnë me dritë syrin tuaj për të parë në mënyrën se si ai e reflekton dritën, juve do t’ju kërkohet të lexoni shkronja nga një tabelë dhe frymë ajri do të drejtohet në syrin tuaj për të kalkuluar presionin brenda tij.

Pse është i rëndësishëm ky test?

Testi i syrit mund të gjejë shenjat e hershme të ndonjë çregullimi përfshirë diabetin dhe glaukomën. Nëse ndonjë problem gjendet, ju mund më pas t’i drejtoheni mjekut tuaj të përgjithshshëm ose spitalit special të syrit.

Sa shpesh duhet të bëhet ky test?

Çdokush rreth moshës 60 vjeçe këshillohet ta bëjë këtë çdo dy vite. Nëse jeni mbi 70 vjet, ju mund ta bëni këtë test çdo vit.

Çfarë ndodh më pas?

Në fund të testit juve do t’ju tregohet nëse shikimi juaj ka nevojë për korrektim dhe nëse po, juve do t’ju jepen syze ose terapi e re e përshkruar. Ju më pas mund të vizitoni një optikë, ku specialisti do t’ua rregullojë syzat ose thjerrëzat sipas përshkrimit, nëse ju keni nevojë për ta. Nëse ka ndonjë shenjë për ndonjë sëmundje, ju mund të udhëzoheni të vizitoni mjekun e përgjithshëm ose specialistin e syrit.

7. Kontrolli i lëkurës

Edhe nëse e kontrolloni vetë ose vizitoni ndonjë specialist klinik, mbajtja nën vëzhgim e nishaneve në lëkurën tuaj mund t’ju ndihmojë juve të vëreni shenja të hershme të kancerit të lëkurës. Shumica e këtyre formacioneve që paraqiten në lëkurë janë të padëmshme, por ndonjëherë ata mund të zhvillohen në një formë të rrallë të kancerit të lëkurës që quajtur melanoma malinje.

Si bëhet kjo analizë?

Nëse vëreni ndonjë ndryshim të dyshimtë në lëkurë, mjeku mund ta testojë dhe t’ju udhëzojë për teste të tjera; ndonjë ndryshim ngjyre, madhësie ose forme të ndonjë molë (nishan, ngritje, urith) është simptoma më e shpeshtë e melanomës. Në mënyrë alternative ju mund të bëni një vizitë te ndonjë qendër specialistike ku infermierja do të t’ju bëjë një kontroll krye-e-këmbë për rreth 45 minuta.

Pse është i rëndësishëm ky test?

Vdekjet nga melanoma te mosha mbi 65 vjeçe është trefishuar në 30 vitet e fundit, sipas hulumtimeve amerikane. Melanoma lidhet me një ekspozim te grumbulluar në diell gjatë jetës, që do të thotë se njerëzit më të moshuar janë më të prirë për të zhvilluar sëmundjen.

Sa shpesh duhet të kontrollohemi?

Ju duhet të kontrolloni të gjitha nishanet ose formacionet e çrregullta. Nëse vizitoni mjekun ose specialistin klinik, ata do t’u këshillojnë kur të riktheheni për një kontroll pasues.

Çfarë ndodh më pas?

Nëse ju gjeni ndonjë njollë të dyshimtë ju do të këshilloheni të bëni teste shtesë dhe specialisti mund të vendosë ta largojë atë zonë të lëkurës. Nëse mësohet se ky nishan në fakt paraqet melanomë, ju mund të keni nevojë për teste të tjera për të parë nëse kanceri është shpërndarë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 719

Trending Articles