Jemi mësuar që ta përdorim shpesh në tavolinë pa menduar gjatë për pasojat që mund të ketë në peshën tonë trupore. Buka e bardhë përbëhet nga një miell shumë i rafinuar, gjë që përbën një rrezik të vërtetë për linjat trupore. Sipas një studimi spanjoll, kjo lloj buke cilësohet si “bombë sheqeri” dhe nëse hahet më shumë se pesë feta nga kjo bukë në ditë, rritet me 40% rreziku i mbipeshës dhe obezitetit. Studimi u drejtua nga Miguel Martinez-Gonzalez i Universitetit të Navarra në Spanjë, ku u analizuan 927 persona me moshë të re, për pesë vjet rresht, që të gjithë me peshë normale në fillim të studimit. Studiuesit grumbulluan informacione lidhur me konsumin e bukës dhe ushqimeve të tjera, si dhe duke analizuar ndryshimin e peshës së tyre trupore.
Rezultoi se ata persona që konsumonin dy ose më shumë racione buke në ditë, mesatarisht pesë ose gjashtë feta buke, rrezikonin me 40% për tu shëndoshur dhe shfaqën një shtim të ndjeshëm peshe. Martinez-Gonzalez shpjegon se buka bardhë bëhet me një miell shumë të rafinuar, pa fibra, vitamina dhe embrion gruri, duke bërë që të cilësohet si “bombë sheqeri”.