Quantcast
Channel: GAZETA REPUBLIKA » Shëndet
Viewing all articles
Browse latest Browse all 719

Diabeti i tipit 2, dieta bimore e mban nën kontroll

$
0
0

diabeti55Të paktën kështu këmbëngulin një ekip mjekësh amerikanë, të cilët kanë publikuar një studim në revistën “Diabetes Care”. Diabeti i tipit 2 është më i përhapur në moshën e rritur dhe në personat që janë mbipeshë (rreth 80 për qind e diabetikëve të tipit 2 janë mbipeshë). Personat e prekur prej kësaj forme të diabetit i nënshtrohen dhe rrezikut për shfaqjen e kardiopative, iktusit, verbimit dhe insuficiencës renale. Për të mbajtur nën kontroll këtë gjendje, përveç medikamenteve, “American Diabetes Association” sugjeron një dietë të personalizuar ipokalorike, e cila bazohet në konsumin e pakët të sheqerit dhe amideve. Dieta bimore përjashton çdo lloj produkti me prejardhje shtazore: Jo vetëm peshkun dhe mishin, por dhe vezën, qumështin, etj. Në këtë mënyrë, ulen automatikisht dhe yndyrat e dëmshme, që hasen në sasi të mëdha te mishrat dhe djathërat, si dhe shumë sheqerna që përfshihen në produktet ushqimore industriale, që përmbajnë përgjithësisht përbërës me origjinë shtazore. Shkencëtarët amerikanë kanë punuar mbi një grup diabetikësh, të cilët u ndanë në dy nëngrupe. Nëngrupi i parë iu nënshtrua dietës bimore dhe tjetri dietës tradicionale që përdoret për diabetin. Pas 22 javësh trajtimi, duke mbajtur të ndryshueshme dhe dozën e medikamenteve, personat që ndoqën dietën bimore humbën 6 kg dhe vlerat e kolesterolit LDL zbritën me 21, 2 për qind dhe hemoglobina ishte ulur me 1, 23 pikë, në krahasim me grupin që ndoqi dietën tradicionale. Falë këtyre ndryshimeve, është arritur të ulen dhe të ndalohen medikamente në 43 për qind të rasteve.

Kush mund të preket nga diabeti

Diabeti mund të prekë çdo njeri. Në diabetin tip 2, shenjat e tij mund të jenë më të zbehta apo edhe mund të mungojnë për shumë vjet. Por faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë:Trashëgimia, apo personat me familjarë me diabet janë më të predispozuar apo kanë mundësi për të bërë diabet më shumë se te tjerët dhe kjo varet nga mënyra e tyre e jetesës; moshat mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetëshme, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri, gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme, personat që bëjnë infeksione të shpeshta, gratë me mykoza të vazhdueshme gjenitale, etj.

Cilat janë shenjat e diabetit?

Shenjat e diabetit janë: Etje e shtuar, pra pirje uji në sasi të madhe, urinim i shpeshtë/ dhe në sasi të madhe ditën dhe natën, tharje goje, shtim oreksi por që shoqërohet me humbje peshe, lodhje më tepër se zakonisht, dhimbje stomaku, shikim i mjegullt, mungese e theksuar përqendrimi, mpirje e duarve ose e këmbëve, plagë të ndryshme që mezi mbyllen, infeksione të ndryshme.
Nuk duhet harruar asnjëherë se në shumicën e rasteve, diabeti tip 2 mund të mos shfaqë fare shenja, mund të rrijë i heshtur për vite me radhë, dhe vetëm kur sëmundja e diabetit ka përparuar, shfaqen një sërë shenjash klinike, të cilat janë tipike dhe lehtësojnë shumë zbulimin e diagnozën e saj.

A jep ndërlikime diabeti?

Diabeti është nga të paktat sëmundje që arrin të prekë e të dëmtojë heshturazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore të trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjakut, duke krijuar aksidente dramatike e tragjike, nëse ai nuk mbahet nën kontroll. Diabeti jep ndërlikime si në enët e vogla të gjakut, në kapilarët e arteriet shumë të vogla por jep edhe ndërlikime aterosklerotike në enët e mëdha të gjakut.

Diabeti jep komplikacione në sy, këmbë, zemër, veshka dhe në tru, nëse shifrat e sheqerit në gjak nuk mbahen afër vlerave normale diabetit. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet i sëmuri të jetë me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj, pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta, më të përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime .
Dëmtimet në sistemin kardiovaskular, të cilat përbëjnë rreth 60 për qind të të gjitha vdekjeve të diabetikëve. Rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-3 herë më i lartë tek njerëzit me diabet tip 1 ose 2.
Dëmtimet në sy apo retinopatia diabetike është ndër ndërlikimet më të hershme e më të shpeshta të tij dhe shkaku më i shpeshtë i verbimit, Ky ndërlikim nuk zhvillohet për një ditë dhe as për një vit, pra duhen vite të tëra që retina të arrijë të prishet e të humbasë pamjen.
Ndërlikimet në veshka apo Nefropatia diabetike zhvillohen paralelisht si tek ndërlikimet në sy. Megjithatë, ky ndërlikim shfaqet jo menjëherë, madje është më i ngadaltë dhe shfaqet më me vonesë se retinopatia.
Ndërlikimet nervore apo neuropatitë e diabetit që përfaqësojnë dëmtim e vuajtje të nervave nga kjo sëmundje. Ndërlikimet në sistemin nervor të sëmurëve me diabet shkaktohet nga dëmtimi i kapilarëve ushqyes të nervave dhe sidomos nga grumbullimi i tepërt i sheqernave brenda vete qelizave nervore. Pacientëve me diabet u ulet ndjeshmëria ndaj të ftohtit, të nxehtit u dëmtohen reflekset dhe mund të çojë deri në shfaqjen e gangrenës në këmbë, e cila njihet me emrin këmba diabetike.

Si mund ta merrni vesh nëse keni diabet

Pas ngrënies, pjesa më e madhe e ushqimit shndërrohet në glukozë(sheqer)i cili është burimi kryesor i energjisë për organizmin. Tek personat normalë apo pa diabet niveli i sheqerit në gjak qëndron brenda shifrave normale 70-120 mg/dl, sepse pas ngrënies, insulina çlirohet në sasinë dhe kohën e duhur duke mbajtur kështu sheqerin në shifrat normale.
Për të vendosur diagnozën e diabetit dy janë analizat laboratorike që kryhen: Matja e glukozës, sheqerit në gjak para ngrënies në mëngjes; Testi i tolerancës së glukozës, ku mbasi merret nga goja të 75 gr sheqer, matet niveli i sheqerit në gjak çdo 2 orë.
Ndërsa matja e hemoglobinës së glukozuar, Hba1c, përdoret kur diabeti është diagnostikuar dhe përdoret për të matur sheqerin në gjak dhe kontrolluar atë në 2-3 muajt e fundit. Hba1c e barabartë apo më e vogël se 6 për qind është normale. Ndërsa, HbA1c më e madhe se 6,5 për qind është një kriter i diagnozës së diabetit. Pacientet me diabet duhet të kenë një vlerë të HbA1cmë të vogël se 7 për qind.
Por më e rekomandueshme është matja e glukozës në gjak esëll në mëngjes dhe një ripërsëritje mbas një dite. Nëse testi i depistimit kryhet me kujdes zbulon, ai individët me diabet tip 2, që në faza të hershme, kur nuk ka akoma shenja të dukshme të tij.
Rezultati mund të quhet pozitiv nëse glicemia në gjak para ngrënies është e barabartë ose më shumë se 126 mg/dl ose testi i tolerancës së glukozës është i barabartë ose më shumë se 200 mg/dl dhe nëse glicemia para ngrënies është midis 110-125 mg/dl bëhet fjalë për Pre-diabet apo Tolerancë e dëmtuar e glukozës.

A mund të parandalohet diabeti?

Që të shfaqet diabeti duhen të kombinohen dy faktorë, si trashëgimia dhe faktorët që rrisin rrezikun për tu bërë diabetikë. Moshën apo trashëgiminë ne nuk mund ti ndryshojmë por faktorët që rrisin rrezikun për tu bërë diabetikë, si mbipesha, obeziteti, duhanpirja, jeta sedentare, ushqyerja me shumë kalori etj, mund të bëhet shumë.
Diabeti është i parandalueshëm. Për parandalimin e tij duhet të kemi parasysh disa këshilla:
Bëni kontrolle të rregullta të sheqerit në gjak, 1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e rrezikuar ndërsa të tjerë 1 herë në 3 vjet. Kontrolloni rregullisht tensionin e gjakut.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 719