Lëkura e thatë është një dukuri shumë e shpeshtë gjatë dimrit dhe mund të çojë në formime të luspave, të kruara, çarje dhe madje edhe gjakosje. Por ekspertët thonë se ka disa hapa të thjeshtë të cilat ju ndihmojnë ta parandaloni dhe trajtoni lëkurën e thatë. Hapi i parë që mund të bëni për të mirëmbajtur lëkurën gjatë motit të ftohtë është të bëni banjë të ngrohtë. Por, edhe pse qëndrimi i gjatë në vaskë mund të jetë joshës në ditët e ftohta, kjo mund ta thajë edhe më shumë lëkurën. Andaj preferoni banjë ose dush të shpejtë dhe përdorni ujë të ngrohtë, dhe jo të nxehtë. Zbutësit e lëkurës janë një ndihmesë tjetër për lëkurën e thatë. Kështu preferoni ndonjë krem zbutës të lehtë, dhe aplikojeni atë menjëherë pas dushit, pasi fërkimi i lëkurës gjatë fshirjes mund ta irritojë atë. Ekspertët preferojnë më shumë zbutësit e yndyrshëm ose në formë kremi, se sa ata që janë losione. Po ashtu lexoni edhe udhëzimin e çdo produkti që blini, pasi disa përmbajnë aromatizues, shtesa me bazë alkooli dhe produkte tjera të cilat mund ta irritojnë lëkurën e thatë dhe të ndjeshme. Njerëzit po ashtu kanë prirje t’i pastrojnë më shumë duart gjatë dimrit, për të eliminuar kështu mikrobet gjatë këtij sezoni të ndjeshëm. Edhe pse kjo është një ide e mirë, do të bënit edhe më mirë sikur pas çdo pastrimi të duarve t’i zbutni ato me ndonjë krem speciale për duar. Nëse lëkura juaj është e thatë edhe në mbrëmje, aplikoni krem edhe para se të bini në gjumë. Dhe nëse jeni kuzhinier/e dhe duhet t’i mbani ato gjatë në ujë, provoni të vendosni dorëza rezistente ndaj ujit gjatë punës tuaj të përditshme. Përdorimi i lagështuesve të ajrit në hapësirën ku jetoni, është një tjetër hap i menduar mirë për të parandaluar tharjen e lëkurës. E rëndësishme është edhe veshja që ju mbani, ashtu që ajo të lejojë qarkullimin e ajrit. Preferohet të vishni tesha me përmbajtje të qind për qindtë të pambukut, veçanërisht ato të brendshme që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën. Nëse këto metoda nuk ndihmojnë në lehtësimin e lëkurës tuaj të thatë, atëherë mund të keni nevojë për ndonjë krem ose pomadë tjetër të cilën mund t’ua përshkruajë mjeku. Lëkura e thatë mund të jetë edhe shenjë e ndonjë tjetër sëmundje, siç është ekzema, andaj mos ngurroni ta vizitoni mjekun tuaj edhe për probleme të tilla. Mjeku.Net
↧
Si të kujdeseni për lëkurën e thatë gjatë dimrit?
↧