Quantcast
Channel: GAZETA REPUBLIKA » Shëndet
Viewing all articles
Browse latest Browse all 719

Ekzema, simptomat dhe shkaktarët. Si të shmangni morthin në ditët e ftohta

$
0
0

ekzemeeeEkzema (e njohur edhe si dermatiti atopik) është një term që përshkruan një gamë tepër të gjerë problemesh të lëkurës. Ekzema mund të jetë një seksion i vogël i lëkurës i thatë dhe i irrituar ku ndjehet një kruarje e lehtë. Në ekstremin tjetër, ekzema mund të jetë një zonë kronikisht e inflamuar e lëkurës, e mbuluar nga krusta që mund të përshijnë edhe gjithë trupin, e shoqëruar me të kruajtura të pandërprera. Pra, ekzema mund të ketë një larmi pamjesh klinike, duke qenë shpesh totalisht e ndryshme në persona të ndryshëm. Pjesët më të prekura nga ekzema përfshijnë palat e lëkurës në krahë dhe këmbë, kurrizin e duarve, shputat dhe kyçet e duarve.

Shkaqet dhe simptomat

Një nga teoritë më të pranuara është që personat i prekur nga ekzema preken nga një qark i shkurtër i përgjigjes imunitare, ku lëkura reagon në mënyrë jo normale kur substanca të caktuara bien në kontakt me të. Në rastet ekstreme, një substancë e tillë mund të jetë edhe uji i pastër. Në rastet e ndërmjetme, lëkura mund të ngacmohet nga veshjet, detergjentët, sapunët, bari, produktet ushqimore, alergenët, mungesa e lagështisë ose një kombinim i dy apo më shumë prej elementëve të mësipërm. Situata komplikohet më tej, kur reaksioni i ekzemës nuk lidhet me ndonjë faktor apo arsye reale. Të dhëna të kërkimeve të caktuara flasin edhe për një rol të trashëgimisë. P.sh. fëmijët e lindur nga prindër të prekur nga ekzema kanë një shans 80% për të manifestuar edhe ata ekzemë. Për më tepër, shkaqet, inicijuesit dhe agravuesit e ekzemës në prindërit dhe fëmijët e prekur nga ekzema shpesh janë të njëjtët. Pavarësisht nga shkaku, lëkura ekzematoze reagon pothuajse njëlloj ndaj shkaktarit apo shkaktarëve. Ajo “del nga kontrolli” dhe prodhon një inflamacion të shkallës së mesme ose të rëndë i cili më pas shkakton të kruara dhe gërvishtje.

Si të shmangim morthin, në ditët e ftohta të dimrit

Ulja e temperaturave dhe rritja e nivelit të lagështirës në ajër, ndikojnë në rishfaqjen e dhimbjeve dhe ënjtjeve, kryesisht të duarve. Ditët e ftohta të dimrit rishfaqin problemet me morthin. Ulja e temperaturave dhe rritja e nivelit të lagështirës në ajër, ndikojnë në rishfaqjen e dhimbjeve dhe ënjtjeve, kryesisht të duarve. Për këtë arsye, sot po botojmë disa nga informacione rreth kësaj sëmundje, si dhe mundësitë për ta parandaluar dhe trajtuar atë.

Ku shfaqet morthi?

Gjatë ditëve të ftohta dhe me lagështirë, sidomos pas ndryshimeve të menjëhershme të temperaturave, rishfaqen problemet me pernione, ose siç njihet në gjuhën e popullit morthi. Personat e prekur nga kjo sëmundje, zakonisht vuajnë nga probleme me qarkullimin e gjakut në esktremitetet: Në duar dhe në këmbë. I ftohti me lagështirë bën që gjaku të tentojë të “tërhiqet” më tepër në organet e brendshme, për të ruajtur shëndetin e tyre dhe në këtë mënyrë, lëkura është më e ekspozuar ndaj të ftohtit dhe lagështirës, gjë që ndikon në shfaqjen e morthit.

Mënyrat e shfaqjes

Shenjat tipike janë ënjtje e duarve dhe këmbëve, krijimi i njollave me ngjyrë të kuqërremë në të kaltër-zezë, dhe janë të ftohta në prekje dhe të ënjtura. Në momentin që pacienti hyn në kontakt me një ambient të ngrohtë, shfaqet pruriti (kruarie) dhe dhimbjet e vendeve ku lokalizohet morthi. Zakonisht lokalizohet në pjesë të trupit që qëndrojnë për një kohë të gjatë të ekspozuara ndaj të ftohtit dhe janë të ndjeshme si: gishtërinjtë e duarve, këmbëve, por edhe në veshë e majën e hundës.

Si trajtohet?

Zakonisht përdoren kremra me bazë kortizoni me përdorim lokal, në rastet kur ka vetëm inflamacion dhe vitaminoterapi. Nëse shihet se shfaqen dhe lezione, duhet që kortikoidët të alternohen me pomada me bazë antibiotiku. Gjithsesi trajtimi varet nga mjeku specialist, i cili përzgjedh skemën dhe trajtimin e duhur. Trajtimi më i mirë është parandalimi i saj.

Si parandalohet?

Morthi është më i lehtë të parandalohet sesa të trajtohet: Për këtë duhet të ndiqen disa këshilla të thjeshta në jetën e përditshme. E para, sigurisht, lidhet me mënyrën e veshjes: pjesët më të ndjeshme duhet të mbulohen për të qenë të mbrojtura nga i ftohti dhe nga lagështia. Duhet të vishen dorashka të ngrohta ose me material leshi, të mos mbahen këpucë të shtrënguara dhe të lagura, etj. Së dyti, rekomandohet kryerja e ushtrimeve fizike që ndikon në tonifikimin e enëve të gjakut. Aktiviteti fizik ndikon në gjithë aparatin kardiovaskular, duke përmirësuar funksionimin e enëve të vogla të gjakut, të cilat në këtë mënyrë bëhen më elastikë dhe nuk kanë tendencë të tkurren nën efektin e të ftohtit.

Rekomandimet për ushqimin

Duhet të konsumoni ushqime të pasura me vitamina. Mjaft i mirë është beta karoteni, që ndihmon lëkurën të ruajë elasticitetin dhe tonifikimin. Vitamina E, ndikon në trajtimin e skuqjeve dhe vitamina C ndikojnë në ruajtjen e elasticitetit në muret e enëve të gjakut. Po ashtu këshillohet që personat që kanë shfaqur më parë këtë problem, që para se të nisë periudha e ftohtë të bëjnë disa ushtrime në darkë: të fusin duart në ujë të ngrohtë, pastaj në të ftohtë disa herë, sepse kjo ndikon në elasticitetin e mureve të enëve të gjakut. Masazhimi i duarve dhe vendeve ku është shfaqur morthi, ndihmon për të riaktivizuar qarkullimin. Nuk rekomandohet vendosja e borsave me ujë të nxehtë, sepse kontakti i menjëhershëm me një objekt me temperaturë të lartë mund të përkeqësojë situatën dhe të shtojë dhimbjen.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 719

Trending Articles