Lëngu i shegës shuan etjen, nxit oreksin dhe ndihmon në tretjen e ushqimit. Me shumë sukses përdoret edhe në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon helmet e organizmit. Ai mund të përdoret edhe për heqjen e njollave dhe rrudhave të fytyrës. Lëkura e saj, e pasur me taninë, akoma edhe sot përdoret në Afrikën e Veriut si ilaç për diarrenë. Lëngu i shegës mund të quhet edhe ilaç i çmuar për zemrën. Sipas një studimi izraelit, pirja e një gote me lëng shege çdo ditë do të parandalonte në formimin e pllakëzave në enët e gjakut, duke ulur kështu rrezikun për t’u prekur nga arterosklerozat. Autorët e këtij studimi shpjegojnë gjithashtu se efektet e lëngut varen nga aftësia e organizmit për të përthithur dy gjene që aktivizohen nga substanca oksiduese, të cilat forcojnë muret e enëve të gjakut. Eksperimenti i kryer mbi qelizat njerëzore të marra nga arteriet koronare dhe te minjtë me nivele tepër të larta kolesteroli në gjak, kanë treguar se lëngu i shegës pengon veprimin e ELK-1 e p-JUN, që janë dy gjene të njohur për favorizimin e formimit të pllakëzave në enët e gjakut dhe ndihmojnë për aktivizimin e substancave oksiduese. Por vetitë e saj magjike nuk mbarojnë këtu. Shkencëtarët, pas studimit, zbuluan se njerëzit që pinin dy gota me lëng shege të shtrydhur në ditë, prej vitesh kishin rregulluar me 21 për qind presionin e gjakut. Për më tepër, ata vërtetuan se një gotë mbulon rreth 50 për qind të nevojave tona për vitaminë. Studimet e ndryshme kanë treguar se vaji i ullirit luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen ndaj sëmundjeve. Ndër shekuj është protagonist i padiskutueshëm i dietave mesdhetare, duke ndikuar në uljen e vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare e duke çuar në parandalimin e disa lloje tumoresh, sidomos atij të gjirit. Meqenëse është i pasur edhe me yndyra të pangopura, ai eliminon ndjeshëm rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës, pasi ul nivelin e kolesterolit të keq (LDL)-së që grumbullohet nëpër arterie. Po ashtu, dietologët dhe mjekët këshillojnë që, nëse dëshironi të keni një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, ky produkt fisnik i dalë nga ulliri duhet të jetë i pandashëm nga tavolinat tuaja. Për më tepër, ky “ilaç” është i njohur për ndihmën që i jep zhvillimit të trurit dhe kockave si te fëmijët, ashtu edhe te të rriturit, duke ruajtur metabolizmin e tyre gjatë humbjes së kalciumit. Shumica nuk e dinë se vaji i ullirit nga përmbajtja yndyrore është i ngjashëm me qumështin e nënës. Për këtë arsye ai luan një rol të madh në zhvillimin e sistemit nervor të mesëm te fëmijët. Në shumë vende të botës është e detyrueshme që në etiketat e produkteve të shënohen efektet që kanë mbi shëndetin e njerëzve, por vaji i ullirit bën përjashtim. Industritë e ushqimit, në bashkëpunim edhe me organet shtetërore për kujdesen e konsumatorit, kanë menduar që në etiketën e tij është më mirë të shkruhet: “Dy lugë vaj ulliri në ditë, ju mbrojnë nga shumë sëmundje, por sidomos nga ato të zemrës. Mos e ndani nga tavolinat tuaja”. Të gjitha këto “mirësi” që na vijnë nga përdorimi i tij, na bëjnë të mendojmë: Sa mirë që të gjitha sekretet e natyrës janë zbuluar nga shkenca!