Për ata që janë dehur, nuk ka gjë më të mirë se sa ilaçet pasi kanë pirë! E kujt nuk i ka ndodhur që të ketë pirë shumë dhe mes të vjellave dhe dhembjes së kokës të ketë pasur nevojë për kurat apo ilaçet mbrapa dehjes? Ndonjëherë, në festat ku bisedat dhe të qeshurat nuk mungojnë, nga një gotë alkool kalohet në tjetrën dhe pa e kuptuar fare keni pirë shumë… Këtë gjë e kuptoni të nesërmen në mëngjes, kur zgjoheni dhe kur kërkoni ndonjë gjë për të qetësuar dhembjen e tmerrshme të kokës dhe ndjesinë e përzierjes. Ne do t’ju sugjerojmë disa këshilla për të qetësuar ose më mirë akoma për të parandaluar efektet normale të dehjes.
Dëmet nga alkooli
Përveç duhanit, një ves tjetër i dëmshëm është edhe alkooli. Edhe ky ves është shkaktar i një vargu sëmundjesh duke filluar që nga aparati tretës, mëlçia, pankreasi e deri në dëmtime të pariparueshme të sistemit nervor qendror. Në mëlçi, alkooli shkakton dëmtime të qelizave hepatike, i cili përparon në kohë dhe që varet nga doza e konsumuar dhe nga veçoritë fiziologjike të individit. Është vërtetuar se sasia e rrezikshme është ajo prej 20-40 gramë alkool etilik, ndërsa përdorimi 100-150 gramë alkool në ditë, në një periudhë 10-vjeçare mund të shkaktojë cirrozë. Nga ana tjetër, është vërtetuar edhe shkencërisht se për shkak të fiziologjisë, femrat dëmtohen shumë më shpejt se meshkujt për të njëjtën sasi alkooli të konsumuar. Njerëzit që pinë me vite nuk ndiejnë asgjë dhe papritur një ditë gjenden para një fakti të hidhur, mëlçia e tyre ka marrë fund, është kthyer në një mëlçi cirrotike, ose kanë shqetësime të lehta që nuk ia vënë veshin, por bukur mirë ata bëjnë “puthjen” e parë me vdekjen. Edhe pankreasi pëson dëmtime nga alkooli. Është vërtetuar se konsumimi i 20-50 gramë alkool etilik (rreth 100 ml raki) në ditë shkakton dëmtime, ndërsa pirja e 100 gramëve alkool etilik ose mbi dy dopio raki (200 ml) apo 2 litra birrë për një periudhë 6-12 vjet shkakton në mënyrë të sigurt dëmtime të pankreasit. Konsumimi për një kohë të shkurtër i një sasie të madhe pijesh alkoolike shkakton rreziqe ndaj pankreasit akut, që mund të çojë deri në rrezikimin e jetës. Është vërtetuar se për çdo 1 litër alkool të konsumuar, vdesin 1.000-2.000 qeliza të trurit. Kështu që përdoruesit kronikë të alkoolit, me kohë e çojnë veten drejt demencës (skizofreni, marrëzi), degjenerimit mendor (matufosjes) etj. Pra, alkooli dëmton pa përjashtim të gjitha organet e trurit.