Flokët kanë një rëndësi shumë të madhe për estetikën e njeriut. Rënia e tyre është e dukshme tek femrat dhe tek meshkujt, por më e theksuar është tek meshkujt. Por, përse bien flokët? A është i mundur parandalimi i këtij fenomeni? Si mund të trajtohet rënia e tyre?
Shkaqet e rënies
Trashëgimia dhe faktorët gjenetikë. Rënia e flokëve, ashtu si ngjyra e syve, është një tipar i trashëgueshëm. Me kalimin e kohës, floku bëhet i hollë dhe bie kur folikulat vdesin. Gjenet që provokojnë rënien e flokut janë të transmetueshme nga të dy prindërit. Është i kotë riti që ndiqet shpesh nga prindërit për të qethur fëmijët e vegjël, në mënyrë që të rritet dhe shtohet floku. Nëse njëri nga prindërit vuan rënien e flokut, ajo do transmetohet tek fëmija, nëse ai ka marrë gjenet e tij. Por, nga ana tjetër, nuk është e thënë që prindi vuan rënien e flokut dhe patjetër duhet ta ketë dhe fëmija. Kjo është në varësi se nga cili prind i janë transmetuar
gjenet fëmijës. Pikërisht me këtë fakt, shpjegohen dhe rastet e shumta që ndodhin brenda një familjeje, ku njëri vëlla është tullac, ndërsa tjetri ka një dendësi të madhe të flokëve. Rënia e flokëve fillon që 20 vjeç, por ajo vihet re vetëm kur personi arrin në të 30-t. Rënia e flokëve nga trashëgimia është tipike në pjesën ballore dhe anash ballit. Stresi është një faktor shumë rëndues në rënien e flokut. Në ndryshim me faktorin gjenetik, rënia e flokëve, për arsye stresi, është e shpërndarë në të gjithë zonën ku ka flokë ose e lokalizuar në formë rrethore. Sipas specialistëve, dietat e keqbalancuara sjellin si rezultat një keqekuilibrim të ushqimeve të nevojshme për organizmin. Mungesa e proteinave mund të ndryshojë prodhimin normal të flokëve dhe të bëjnë që flokët të hyjnë në një fazë pushimi dhe për dy apo tre muaj do të shfaqet humbja e flokëve në masë.
Kujdes
1- Kontrolloni stresin
2- Mbani një dietë të përshtatshme
3- Pini të paktën dy kg ujë në ditë
4- Konsumoni fruta, perime dhe proteina, me anë të të cilave marrim vitaminat, minerale dhe materiale strukturale thelbësore në rikonstruktimin kapilar.
5- Evitoni sa më shumë konsumimin e yndyrave shtazore, duke i zëvendësuar me vajra natyralë, veçanërisht me vajin e ullirit.
6- Evitoni ushqimet e skuqura
7- Përdorni sallata të ndryshme
8- Dielli i pishinës dhe i detit është i dëmshëm për flokët
9- Mos e ndërroni shpesh shampon.