Një test i ri gjaku mund t’u tregojë njerëzve sa gjatë do të jetojnë dhe sa shpejt mund të plaken, falë një kimikati në gjak që besohet se përcakton edhe fatin tonë
Mjekësi
Shkencëtarët kanë zbuluar një lëndë kimike unike në gjak, që mund të japë të dhëna për shëndetin e një të mituri dhe për shkallën e plakjes deri afër fundit të jetës së tij.
Zbulimi ngre perspektivën që në të ardhmen, një test i thjeshtë në lindje, mund të ndihmojë doktorët të bëjnë trajtime të nevojshme për shëndetin e njeriut.
Kështu, zhvillimi më i fundit u jep mundësinë specialistëve të bëjnë ndërhyrje të rëndësishme në kohë të hershme për kushte shëndetësore delikate, si problemet e kockave dhe sëmundjet e zemrës.
Shkencëtarët identifikuan 22 metabolite, molekula të vogla të lidhura me metabolizmin, të cilat mund të hyjnë në punë si tregues të dobishëm të mënyrës sesi pritet që të plakemi.
Njëri në veçanti lidhej me një sërë tiparesh që përfshijnë funksionimin e mushkërive, dendësinë e kockave, presionin e gjakut dhe nivelin e kolesterolit, theksohet prej shkencëtarëve.
Ka lidhje të forta gjithashtu me peshën e lindjes, që në vetvete njihet si një faktor përcaktues i plakjes së shëndetshme. Nivelet e këtij metaboliti, C-glyTrp, mund të pasqyrojnë përshpejtimin e plakjes në një moshë madhore, besojnë kërkuesit. Duke i krahasuar me binjakët identikë, është zbuluar se niveli i lartë i molekulës lidhet me peshën e ulët gjatë lindjes.
Duke qenë se binjakët identikë ndajnë të njëjtat gjene, kjo këshillon që niveli i metaboliteve ndryshohet prej ushqimit dhe kushteve të ndryshme në mitër.
Studimi i udhëhequr nga profesor Tim Spector, nga “King’s Collage London”, tha: “Shkencëtarët e kanë ditur prej shumë kohësh që pesha e një personi në çastin e lindjes është një përcaktues vendimtar i shëndetit në moshën e mesme dhe më pas. Njerëzit me peshë të vogël në lindje janë më të prirur të zhvillojnë sëmundje gjatë plakjes”.
Deri më tani, mekanizmi molekular që lidh peshën e vogël të lindjes me shëndetin apo sëmundjet në moshën madhore, kishte mbetur i paqartë, por zbulimi i ri ka gjetur se molekulat janë të përfshira.