Lëkurë e thatë, akne, thembra të plasaritura? Ja disa këshilla praktike për t’i evituar
Në se keni lëkurë të thatë, rekomandohet përdorimi i pastruesve të tretshëm në ujë mbi lëkurën e gjithë trupit. Përdorimi i sapunëve apo pastruesve të ngurtë është i dëmshëm. Ata kanë efekt të mëtejshëm tharës mbi lëkurën. Përveç kësaj sapunët e ngurtë lënë një shtresë mbi lëkurë, e cila, nga njëra anë, bllokon efektin e hidratuesve dhe, nga ana tjetër, nuk lejon eksfolimin e natyrshëm të qelizave të vdekura. Pas aplikimit të pastruesit, përdorni një locion trupi i cili i jep lëkurës suaj një ndjesi mëndafshi dhe një pamje absolutisht perfekte.
Bërryla dhe gjunjë të ashpër dhe të thatë? Thembra të plasaritura?
Zgjidhja më efikase për këto probleme është përdorimi i rregullt i një eksfolianti me përmbajtje emolientësh. Kujdesi për thembrat duhet të përfshijë detyrimisht trajtime të rregullta pedikyri. Mbani një gur shtufi pranë kabinës së dushit ose vaskës me qëllim që të mos harroni ta përdorni rregullisht. Për zonat e njohura me lëkurë të thatë si bërrylat, thembrat dhe gjunjët, përdorni rregullisht produkte me përmbajtje AHA dhe BHA.
Mos harroni asnjëherë produktet mbrojtës kundër diellit
Efekti dëmtues i rrezeve të diellit në qafë, kraharor, këmbë dhe duar është një ndër shkaktarët kryesore të pamjes së plakur, pavarësisht nga kujdesi që tregoni për fytyrën. Produktet mbrojtës kundër diellit duhet të përdoren detyrimisht në çdo pjesë të lëkurës që ekspozohet ndaj rrezeve të diellit. Lëkura e pambrojtur nga rrezet e diellit dhe lëkura ndaj të cilës nuk tregohet kujdes manifeston pas ekspozimit në diell dëmtime të shumta si njolla kafe, zona me lëkurë të trashur, rrudha dhe zona të ashpra. Për më tepër, edhe lëkura e trupit të ekspozuar në diell ka të njëjtin risk për të zhvilluar kancer si edhe lëkura e fytyrës. Mos bëni gabimin që bën shumica e njerëzve – mbrojtjen e fytyrës nga dielli duke injoruar pjesët e tjera të lëkurës së ekspozuar.
Akne në pjesën e trupit?
Pavarësisht nga vendi ku shfaqen aknet, trajtimi ka të njëjtat parime:
1) Mbajeni rutinën e kujdesit për lëkurën sa më të thjeshtë dhe zbatojeni atë me rigorozitet.
2) Përdorni një pastrues trupi të tretshëm në ujë, të butë, por efektiv (pastruesit e ashpër vetëm i përkeqësojnë problemet dhe nuk i zgjidhin ato).
3) Asnjëherë mos përdorni pastrues dhe sapunë të ngurtë (përbërësit që ngurtësojnë sapunin, bllokojnë poret e lëkurës).
4) Përdorni eksfoliantë me përbërës acidi salicilik (BHA) një ose dy herë në ditë për të pakësuar skuqjen dhe ënjtjen, për të luftuar bakteret në brendësi të poreve dhe për të eksfoliuar sipërfaqen dhe brendësinë e pores duke përmirësuar eliminimin e yndyrës.
5) Aplikoni benzoyl peroksid për të shkatërruar bakteret në pore, por garantohuni që produkti nuk përmban irritues si mentol ose alkool, të cilët përkeqësojnë skuqjen dhe inflamacionin.
6) Asnjëherë mos përdorni hidratues viskozë (veçanërisht në formë kremi) në zonat ku ka akne sepse ato bllokojnë poret.