Edhe vjeshta është një stinë e përshtatshme për ta mbajtur trupin në një formë sa më perfekte. Pas pushimeve verore dhe relaksimit nga obligimet e vendit të punës, vjeshta sjell një orar më të qëndrueshëm, i cili lehtëson planin e rregullt të të ushqyerit, por edhe të ushtrimeve
Dieta e vjeshtës
Çfarë dhe si duhet të hani për të rënë në peshë dhe të jeni në formën më të mirë? Vjeshta, edhe pse shpesh lidhet me melankolinë kolektive, mund të paraqesë gjithashtu edhe rilindjen apo një fillim të ri për gjetjen e formës së dëshiruar fizike. Në të vërtetë në vjeshtë është më e lehtë për t’u dobësuar. Klima jo shumë e nxehtë favorizon një konsum më të madh të kalorive falë një metabolizmi më të fortë, që shërben për ta mbajtur temperaturën e trupit 37 gradë. Në këtë kohë fillohet aktiviteti fizik, synohen rrugë të reja dhe mund të zgjidhet një aktivitet që ju pëlqen më shumë. Fundja e vetmja mënyrë që të çon drejt suksesit është këmbëngulja. Përveç këtyre vlen të thuhet se çdo sezon duhet të përkojë edhe me ndryshimin e regjimit ushqimor, në mënyrë që t’u afrohemi nevojave të trupit tonë duke e forcuar atë më shumë, për të përballuar më mirë ndryshimin e klimës.
Ja se cilat janë rregullat për një formë fizike perfekte:
- Në mëngjes duhet të hani lehtë. Konsumoni shumë fruta të sezonit dhe pini shumë lëngje bio. Është e këshillueshme të evitoni kafen, ose të paktën mos ta pini atë në orën tre të pasdites.
- Është më mirë të konsumoni një pjatë të vetme: makarona, pilaf, mish, peshk, vezë ose djathë dhe ta shoqëroni njërën prej tyre me një pjatë të dytë me perime.
- Është mirë që vaktin ta filloni me perime të papërpunuara ose të ziera. Mirë do të ishin edhe frutat, të cilat rezultojnë më të tretshme. Në këtë mënyrë sinjali i ngopjes do t’ju vijë më parë. Supat e perimeve me rigon e vaj ulliri gjatë netëve të ftohta do t’ju japin ngrohtësi, mirëqenie dhe humbje peshe.
- Hani në një mjedis të qetë, duke qëndruar ulur. Evitoni restorantet e zhurmshme: ushqimi duhet të konsumohet dhe të shijohet ngadalë dhe me qetësi.
- Limitoni kripën. Për t’i bërë ushqimet më të shijshme mund të përdoren erëzat dhe barërat aromatikë.
- I pakësoni, por mos i eliminoni yndyrat. Edhe ato janë shumë të nevojshme për trupin, por duhet të zgjidhen me kujdes duke u dhënë përparësi atyre vegjetaleve. Por gjithsesi duhet të përdoren me masë. Mjaft i mirë është vaji i ullirit.
- Konsumoni shpeshherë bishtajoret: fasulet, bizelet, sojën etj.
- Pini të paktën 2 litra e gjysmë ujë në ditë.
- Bëni pazar duke ndjekur një listë me shkrim, për të shmangur blerjet impulsive, por më e rëndësishmja, mos shkoni në supermarket të uritur.
- Nëse keni pak kohë për t’ia dedikuar kuzhinës, atëherë zgjidhni perimet dhe supat e konservuara (pa kripë dhe salcë). Përgatiten shpejt dhe janë ushqime të lehta.
Ushtrimet, në ambient të hapur
Temperaturat e ajrit gjatë stinës së vjeshtës janë ideale, e kjo është një mundësi mjaft e mirë që me ushtrime të merreni në ambient të hapur, sepse nuk është as tepër ngrohtë, por as tepër ftohtë. Shëtisni, vraponi, ngisni biçikletën me shokë e pjesëtarë të familjes në park dhe kënaquni me ngjyrat që ofron natyra gjatë stinës së vjeshtës.
Merruni me punë në kopsht
Edhe pse përjashta mund të jetë ftohtë, punët fizike përreth shtëpisë, në kopsht, i bëjnë mirë zemrës. As temperaturat e ftohta nuk ju parandalojnë që të djersiteni.
Regjistrohuni në palestër
Para stinës së dimrit është mirë të regjistroheni edhe në palestër apo në ndonjë qendër fitnesi që është e pajisur me pishina.